Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Mbretëria e Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë këtij takimi u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Londra zyrtare i ka ofruar Kosovës dhe qytetarëve të saj ndër vite.
Ajo theksoi gjithashtu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të zhvilluar partneritetin në fusha të ndryshme që kontribuojnë në arritjen e objektivave të përbashkëta.
Në takim u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik në vend, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme. Sipas palëve, gjuha kërcënuese dhe bullizuese nuk duhet të ketë vend në diskursin publik.
Ndërkohë, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se gjatë takimit me presidenten Osmani u diskutua edhe nevoja urgjente për stabilitet politik në Kosovë.
“Sot bisedova me Presidenten Osmani për nevojën urgjente që Kosova t’i rikthehet stabilitetit politik, në mënyrë që të mund të ecë përpara me agjendën e saj të brendshme dhe ndërkombëtare. Në këtë kohë pasigurie politike, një debat politik i respektueshëm dhe konstruktiv është thelbësor për të gjetur rrugën përpara“, ka shkruar ai.

