Donald Trump ka marrë fjalën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku e nisi fjalimin duke thënë se nga Shtetet e Bashkuara ka sjellë “lajme fenomenale”, duke vënë theksin te shifrat ekonomike.
“Ekonomia po lulëzon”, deklaroi Trump, duke shtuar se është kënaqësi për të të rikthehet në Davos, ku hera e fundit që kishte marrë pjesë ishte në vitin 2020. Ai nuk i kurseu batutat me të pranishmit, duke thënë se “është mirë të rikthehesh mes kaq shumë miqsh dhe disa armiqsh”, deklaratë që shkaktoi të qeshura në sallë.
Gjatë fjalimit, Trump shpalli se “inflacioni është mposhtur” dhe se kufiri i mëparshëm “i hapur dhe i rrezikshëm” i Shteteve të Bashkuara tashmë është mbyllur.
Ai theksoi se administrata e tij po realizon, sipas tij, “transformimin më të jashtëzakonshëm në historinë e SHBA-së”, duke premtuar një rritje ekonomike që, siç u shpreh, asnjë vend tjetër nuk e ka përjetuar më parë.
Trump deklaroi gjithashtu se inflacioni bazë është në nivelin 1.6%, ndërsa rritja ekonomike për tremujorin e katërt të vitit 2025 parashikohet në 5.4%, shifër që, sipas tij, është dukshëm më e lartë se parashikimet e aktorëve të tjerë ekonomikë.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se "Evropa nuk po shkon në drejtimin e duhur".
Trump thotë se “nuk e njeh Evropën”, duke shtuar: “E dua Evropën, dua ta shoh të bëjë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur”.



