Shërbimi sekret britanik, MI5, ka kërkuar falje dhe ka rënë dakord të paguajë dëmshpërblim për një grua që u abuzua dhe u sulmua brutalisht nga një prej agjentëve të tij.
Rasti doli në pah pas një hetimi të BBC disa vite më parë, ku u zbulua se i ashtuquajturi “Agent X” ishte një ekstremist neo-nazist dhe mizogjen, i cili kishte përdorur rolin e tij në shërbimet sekrete për të ushtruar kontroll dhe dhunë ndaj partneres së tij.
Gruaja, e njohur me pseudonimin Beth, kishte ngritur padi ligjore pasi agjenti e kishte abuzuar gjatë kohës që jetonin bashkë në Britani. Sipas raportimeve, ai më pas u largua jashtë vendit, edhe pse ishte nën hetim nga policia, për të vazhduar aktivitetin e tij si informator.
Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për ta diskredituar viktimën në gjykatë, MI5 vendosi së fundmi të mbyllë çështjen duke i ofruar asaj kompensim financiar, të cilin ajo e ka pranuar.
Avokatja e saj, nga Centre for Women’s Justice, e cilësoi këtë rezultat si një fitore të rëndësishme, duke theksuar se është e rrallë të arrihet një përfundim i tillë kundër një institucioni kaq të fuqishëm dhe të mbyllur si MI5.
Në një deklaratë zyrtare, drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum, kërkoi falje për vuajtjet e shkaktuara, duke pranuar se shërbimi ishte mbështetur në prova të pasakta dhe kishte mangësi serioze në menaxhimin e dokumenteve. Ai shtoi se këto gabime e kishin zgjatur procesin dhe kishin rënduar më tej situatën e viktimës.
Megjithatë, çështja u mbyll pa një pranim zyrtar të fajësisë nga ana e MI5, pasi marrëveshja u arrit në Investigatory Powers Tribunal.
Hetimet zbuluan se agjenti, një shtetas i huaj, kishte një të kaluar të dhunshme dhe ideologji ekstremiste të djathta. Ai kishte abuzuar edhe një partnere tjetër jashtë Britanisë, duke e kërcënuar atë dhe fëmijën e saj me vdekje.
Beth e kishte njohur atë përmes një faqeje takimesh online. Fillimisht ai ishte paraqitur si i sjellshëm dhe tërheqës, por më vonë kishte shfaqur sjellje të rënda abuzive, përfshirë dhunë seksuale dhe kontroll psikologjik. Në një video të publikuar, ai shihej duke e kërcënuar me jetë dhe duke e sulmuar me hanxhar.
Në reagimin e saj, ajo u shpreh se është mirënjohëse për kompensimin, por theksoi se asnjë shumë parash nuk mund të fshijë traumën që ka përjetuar.
Ajo shtoi gjithashtu se beson se, pavarësisht faljes, MI5 vazhdon të mbrojë një person të rrezikshëm dhe të dhunshëm.
Ndërkohë, MI5 është ende nën hetim pas zbulimeve të BBC-së se institucioni kishte dhënë dëshmi të pasakta në disa procese gjyqësore gjatë mbrojtjes së mënyrës si e kishte trajtuar këtë rast.
Një hetim i ri pritet t’i dorëzohet kryeministrit britanik, Keir Starmer, në javët në vijim.
Gjykatës të lartë kanë vënë në pikëpyetje hetimet e mëparshme, duke theksuar se ato kishin mangësi serioze procedurale dhe se përfundimet e tyre nuk mund të konsiderohen plotësisht të besueshme.
MI5 ka deklaruar më herët se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin e ri.

