Lando Norris ka reaguar ndaj kritikave të kampionit të botës, Max Verstappen, për makinat e reja të Formula 1 për vitin 2026, duke thënë se janë të këndshme për t’u drejtuar dhe se holandezi mund të tërhiqet nëse nuk i pëlqejnë.
Verstappen i kishte krahasuar makinat e reja me “Formula E me steroide”, duke u ankuar se nuk është argëtuese të ngasësh për shkak të menaxhimit të vazhdueshëm dhe kufizimeve të drejtimit “flat out”. Norris, nga ana tjetër, e përshkroi eksperiencën si sfiduese, por të këndshme:
“Shumë argëtim – vërtet e shijova. Pra, po, nëse ai dëshiron të tërhiqet, mund të tërhiqet! Formula 1 ndryshon gjithmonë. Është një sfidë për inxhinierët dhe pilotët, por unë akoma ngas makina, udhëtoj në mbarë botën dhe po shijoj shumë. Nuk ka asgjë për t’u ankuar.”
Norris pranoi se në fazën e hershme të sezonit, Red Bull dhe Ferrari dukeshin më të shpejtë se McLaren, por theksoi se ndryshimet janë pjesë e procesit dhe çdo pilot ka të drejtë të ketë opinionin e tij mbi makinat e reja. Ai shtoi se, krahasuar me vitet e kaluara, makinat mund të mos ndihen “aq të bukura për t’u drejtuar”, por performanca do të përmirësohet gjatë sezonit.
Në përfundim, Norris theksoi se çdo pilot mund të shprehë mendimin e tij, dhe se ndërkohë ai po shijon makinat dhe sfidën e re që sjell kjo rregullore.



